Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar një dëm ekonomik prej 5,197,858 lekësh pa TVSH në kontratat e investimeve dhe shërbimeve të Bashkisë Korçë.
Rreth 52 milionë lekë të vjetra nga paratë publike rezultojnë të paguara për punime që nuk janë realizuar ose nuk janë kryer në përputhje me specifikimet teknike. Ky është konstatimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit në raportin e auditimit për Bashkinë Korçë, për periudhën 1 janar 2023 – 31 dhjetor 2024.
Sipas raportit, nga auditimi i kontratave për punë publike dhe shërbime, KLSH ka evidentuar 15 raste me zëra punimesh të pakryera në volumet e pasqyruara në situacione, si dhe punime të realizuara jashtë specifikimeve teknike.
Problemet lidhen me një sërë projektesh në qytet dhe në njësitë administrative të bashkisë së Korçës.
KLSH ka evidentuar shkelje në disa projekte si :
Infrastruktura rrugore: 1,718,360 lekë për punime të pakryera, në kontratën e investimeve në infrastrukturën rrugore, Faza II. : Shkolla e mesme “Ymer Dishnica”: 216,105 lekë për punime të pakryera dhe punime jo në përputhje me specifikimet teknike : Shkolla “Themistokli Gërmenji”: 325,150 lekë për punime të pakryera në terrenet sportive dhe punimet e tjera : Shkolla 9-vjeçare Vithkuq: 306,605 lekë për punime të pakryera :Qendra e Kreativitetit, faza II: 670,394 lekë për punime të pakryera ose jo në përputhje me specifikimet teknike : :Palestra e shkollës “Sevasti Qiriazi”: 207,600 lekë për punime të pakryera :Muzeu Oriental “Bratko”: 120,000 lekë për punime të pakryera.
: Qendra Rinore Korçë: 86,480 lekë për punime të pakryera.
Raporti evidenton gjithashtu parregullsi në kontratën e pastrimit të qytetit, rehabilitimin e digës së ujëmbledhësit të Gjonomadhit, ndërhyrje në rrugë dhe projekte për përmirësimin e banesave të komuniteteve në nevojë.
KLSH evidenton përgjegjësi jo vetëm te sipërmarrësit që kanë marrë përsipër realizimin e kontratave, por edhe te mbikëqyrësit dhe kolaudatorët e punimeve.
Sipas legjislacionit, mbikëqyrësi është përgjegjës për kontrollin e zbatimit të punimeve, saktësinë e dokumentacionit dhe cilësinë e tyre. Ndërsa kolaudatori duhet të verifikojë nëse objekti është realizuar sipas projektit dhe kontratës.
Zefiri.net
KLSH / Bashkia e Korçës paguan 52 milion lek për investime të pakryera
1–2 minuta




