Prefektja e Korçës solidarizohet me Krujën: “Forcë për ata që luftojnë me flakët”
Prefektja e Korçës, Florinda Zegullaj, ka shprehur solidaritet me Krujën dhe banorët që po përballen me situatën e rëndë të krijuar nga zjarret.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Zegullaj vlerëson angazhimin e Forcave të Armatosura, strukturave të Mbrojtjes Civile, Policisë së Shtetit, shërbimeve zjarrfikëse dhe forcave të tjera operacionale që kanë vijuar gjatë gjithë natës përpjekjet për vënien nën kontroll të flakëve.
“Mirënjohje për çdo efektiv dhe punonjës që, mes flakëve, lodhjes dhe rrezikut, është në terren për të mbrojtur jetën e qytetarëve, banesat dhe territorin”, shkruan prefektja e Korçës.
Zegullaj thekson gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit të qytetarëve me autoritetet, veçanërisht në rastet kur kërkohet evakuimi i banorëve nga zonat e rrezikuara.
“Respektimi i udhëzimeve dhe, kur kërkohet, evakuimi i menjëhershëm janë masa që shpëtojnë jetë”, shprehet ajo.
Në fund të reagimit, prefektja përcjell solidaritetin nga Korça për Krujën dhe të gjithë banorët që po përballen me situatën e vështirë.
“Nga Korça, jemi me Krujën dhe me të gjithë njerëzit që po kalojnë këto orë të vështira. Forcë dhe mirënjohje për ata që luftojnë pa u ndalur me flakët”,- shkruan Florinda Zegullaj.




