“Më thoshin se djali gënjen”/ Nëna e 4-vjeçarit denoncon dhunën në kopshtin nr. 6 në Korçë.
Volsjana Plasa, nëna e 4-vjeçarit që dyshohet se u dhunua nga edukatorja në kopshtin nr. 6 në Korçë, rrëfen se i biri i kishte treguar disa ditë më parë se po goditej, por stafi, sipas saj, e kishte cilësuar fëmijën si gënjeshtar.
“Djali më tha se e kishin goditur dhe e kishin futur në qilar. Kishte frikë të shkonte në kopsht”, tregon nëna.
Ajo pretendon se, kur shkoi të merrte të birin, e gjeti në oborr, ndërsa edukatorja po e shtrëngonte nga dora dhe i bërtiste: “Pse gënjen, o mashtrues?”.
Sipas Plasës, kur kërkoi llogari, situata u përshkallëzua. Ajo pretendon se iu hodh telefoni dhe se u ushtrua dhunë edhe ndaj saj. Më pas, mori djalin dhe shkoi në komisariat për të denoncuar rastin.
Nëna tregon se disa ditë më parë kishte vënë re edhe një shenjë të kuqe në qafën e të birit, i cili i kishte thënë se e kishte goditur edukatorja.
“Fëmija im foli edhe në prani të psikologes. Po ata fëmijë që nuk flasin dot? Kushedi sa mund të jenë dhunuar pa mundur ta tregojnë”, shprehet ajo.
Plasa i bën thirrje Drejtorisë Arsimore të kryejë kontrolle në kopshte, që siguria e fëmijëve të garantohet dhe raste të tilla të mos përsëriten.
Edukatorja rrihte djalin dhe e mbyllte në bodrum, rrëfimi i nënës
1–2 minuta





