Shpenzimet e mbrojtjes, kostot e organizimit dhe tensionet gjeopolitike vënë në pikëpyetje mbajtjen e samitit në vitin 2027. Tre diplomatë të NATO-s shprehen skeptikë për organizimin e tij në Shqipëri.
Shqipëria mund të presë samitin e ardhshëm të NATO-s, por jo në vitin 2027. Sipas gazetës greke Kathimerini, e cila i referohet një raportimi të POLITICO-s, tre diplomatë të Aleancës kanë shprehur rezerva për organizimin e takimit në Tiranë vitin e ardhshëm.
Mes shqetësimeve të përmendura janë shpenzimet e mbrojtjes së Shqipërisë, kostot e larta të organizimit dhe pasiguria gjeopolitike. Diplomatët përmendin gjithashtu tensionet me presidentin amerikan Donald Trump, i cili mund ta shfrytëzojë samitin për të kritikuar sërish aleatët.
Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka deklaruar për POLITICO-n se Shqipëria synon të arrijë këtë vit shpenzimet bazë të mbrojtjes në nivelin 2,2% të PBB-së.
Ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi më 12 nëntor, nga Dublini, se samiti nuk do të zhvillohet në vitin 2027. Sipas tij, nëse takimi i ardhshëm mbahet në vitin 2028, ai do të zhvillohet në Tiranë.
Pavarësisht deklaratave për mikpritjen e samitit në Shqipëri, data e zhvillimit të tij mbetet ende e papërcaktuar.
Burimi: Kathimerini / POLITICO
Samiti i NATO-s në Tiranë shtyhet për 2028, diplomatët e aleancës shfaqin rezerva
1–2 minuta




