Vetëm 25 vjeç, Marvin Çifliku është vënë në qendër të një hetimi të antimafias italiane, nën dyshimet për drejtimin e një rrjeti kriminal të përfshirë në trafikun e drogës.
Operacioni i autoriteteve italiane ka çuar në sekuestrimin e pasurive me vlerë rreth 14 milionë euro. Mes aseteve të sekuestruara raportohen edhe lingota ari, si dhe prona e pasuri të lidhura me kompani që dyshohet se kontrolloheshin nga grupi kriminal.
Sipas mediave italiane, Çifliku dyshohet se vijonte të koordinonte aktivitetin e paligjshëm edhe nga burgu. Ai ishte transferuar nga burgu i Torinos, pasi gjatë një kontrolli në qelinë e tij ishin zbuluar tre telefona celularë.
Emri i 25-vjeçarit është përmendur edhe në dosjen hetimore “Daku”, që lidhet me një grup të dyshuar trafikantësh shqiptarë të kokainës në Itali.
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të dokumentuar aktivitetin e dyshuar kriminal, shtrirjen e rrjetit dhe origjinën e pasurive të sekuestruara.

zefiri.net

Lajme Te Ndryshme