Dekorimi i Korçës për festat e fundvitit është kthyer në një shpenzim të përsëritur për buxhetin publik, që në tre vitet e fundit arrin në 100 milion lekë.

Megjithëse bashkia përdor çdo vit thuajse të njëjtat instalacione dhe elemente dekorative, duke zbukuruar vetëm qendrën dhe Pazarin, pasi pjesën tjetër të qytetit e konsideron geto,  Ndërmarrja e Shërbimeve Publike ka hapur për 2026, 2 procedura prokurimi për blerjen e dekoreve.

Dokumentet e prokurimeve tregojnë se vetëm gjatë viteve 2024 dhe 2025 janë zhvilluar disa procedura për blerjen e instalacioneve dhe dekoreve për qytetin.

Në vitin 2024, Ndërmarrja e Shërbimeve Publike shpalli tenderin me objekt “Blerje 3 instalacione dekorative të ndriçuara”, me fond limit 3.749.333 lekë pa TVSH. 

Një vit më pas, në vitin 2025, ndërmarrja zhvilloi dy procedura të tjera prokurimi, me objekt “Dekor” dhe “Dekore për festat e fundvitit”.

Tenderi i parë kishte fond limit 4.018.000 lekë, ndërsa kontrata fituese u lidh për 3.298.200 lekë. Tenderi i dytë kishte fond limit 3.198.680 lekë dhe u fitua me ofertë prej 2.400.000 lekësh.

Në total, vetëm për këto dy procedura të vitit 2025, vlera e kontratave fituese arriti në 5.698.200 lekë.

Por shpenzimet për dekorimin e qytetit nuk ndalen këtu.

Edhe për vitin 2026, Ndërmarrja e Shërbimeve Publike ka hapur dy procedura të reja prokurimi. E para, me objekt “Dekore”, ka fond limit 2.433.500 lekë, ndërsa e dyta, “Dekore për festat e fundvitit”, ka fond limit 1.638.983 lekë.

Në total, fondi limit i dy procedurave të këtij viti arrin në 4.072.483 lekë.

Kështu, për tre vite radhazi, prokurimet për instalacione dhe dekorime kanë përfshirë shuma të konsiderueshme nga fondet publike. Vetëm procedurat e identifikuara për vitet 2024–2026 arrijnë në miliona lekë, pa përfshirë zëra të tjerë të mundshëm për energjinë elektrike, mirëmbajtjen, montimin dhe çmontimin e dekorimeve.

Zefiri.net

Lajme Te Ndryshme