Qeveria po e paraqet përgjysmimin e tarifave universitare për rreth 27 mijë studentë si një masë mbështetëse në Buxhetin e vitit 2027. Por sa lehtësohet realisht një familje shqiptare nga përgjysmimi i tarifave të shkollimit ?
Një krahasim mes Tiranës dhe Korçës tregon se tarifa universitare është vetëm një pjesë e vogël e kostos së arsimimit të të rinjve.
Në Tiranë, një student që vjen nga rrethet dhe jeton në apartament me qira, edhe kur e ndan atë me studentë të tjerë, ka nevojë për rreth 55 mijë lekë në muaj.
Sipas raportit “Portofoli i Studentit” të Qëndresës Qytetare, kostoja mesatare mujore e jetesës së një studenti arrin në 602 euro. Ushqimi dhe akomodimi janë dy zërat kryesorë të shpenzimeve.
Ndryshe është situata në Korçë, ku studenti që jeton me prindërit shmang qiranë dhe një pjesë të kostove të banimit. Megjithatë, ushqimi, transporti, veshjet, librat dhe shpenzimet personale i kushtojnë familjes rreth 25–38 mijë lekë në muaj, sipas një vlerësimi orientues.
Dhe sa kursen realisht një familje që shkollon fëmijën në një nga universitet e vendit nga përgjysmimi i tarifës? Le të bëjmë llogaritë !
Nëse tarifa vjetore në univeristetet tona është mesatarisht rreth 20 mijë lekë, ulja me 50% do të thotë 10 mijë lekë kursim në vit, ose vetëm 833 lekë në muaj.
Me një kafe mëngjesi që kushton 100–120 lekë, kjo shumë mbulon afërsisht kafen e një jave, tek lokali i lagjes.
Raporti i Qëndresës Qytetare tregon se 76,69% e studentëve mbështeten financiarisht te familjet, ndërsa 17,6% kanë menduar të ndërpresin studimet për arsye ekonomike.
Problemi i evidentuar në raport, nuk lidhet vetëm me tarifat universitare, por sidomos me koston reale të arsimimit pasi studentët kanë nevojë për bursa të lidhura me koston e jetesës, mbështetje për qiranë, mensa me çmime të arsyeshme dhe konvikte funksionale.
Zefiri.net
833 lekë në muaj/ Qeveria u paguan studentëve kafenë e mëngjesit për një javë
1–2 minuta




