Ujësjellësi i Korçës, 30 milion euro kredi, asnjë këst i shlyer, 422 milionë lekë borxhe nga abonentët, 135 milionë ndaj furnitorëve Zefiri.net

Ujësjellësi Rajonal Korçë përballet me një situatë të rënduar financiare. Raporti përfundimtar i Kontrollit të Lartë të Shtetit evidenton detyrime të konsiderueshme për kreditë e investimeve dhe ndaj furnitorëve, ndërsa shoqëria nuk ka arritur të mbledhë mbi 422 milionë lekë nga abonentët.

Një nga problematikat më të rëndësishme lidhet me dy kreditë e marra për investime në sistemin e furnizimit me ujë, projektet Korça III dhe Korça IV.

Në vitin 2008, për projektin Korça III, është marrë një kredi prej 14.5 milionë eurosh nga Banka Europiane e Investimeve (BEI), ndërsa në vitin 2019, për projektin Korça IV, është marrë një tjetër kredi prej 15 milionë eurosh nga banka gjermane KfW.

Në total, bëhet fjalë për 29.5 milionë euro kredi.

Sipas KLSH-së, deri më 30 shtator 2025, detyrimet e papaguara për principalin dhe interesat e këtyre kredive arrinin në 4.469.365 euro.

Raporti thekson se pagesat e mbuluara nga Ministria e Financave kanë rënduar buxhetin e shtetit.

Nga ana e saj, shoqëria ka argumentuar se mosmiratimi i rritjes së tarifave nga Enti Rregullator i Ujit (ERRU) ka sjellë mungesë likuiditeti prej 20.6 milionë eurosh.

422 milionë lekë fatura të pambledhura nga abonentët

Një tjetër problematikë lidhet me faturat e papaguara të konsumatorëve.

Në datën 30 shtator 2025, detyrimet e abonentëve ndaj Ujësjellësit Rajonal Korçë kishin arritur në 422.069.532 lekë.

Sipas ndarjes së paraqitur në raportin e auditimit, pjesën më të madhe të këtij borxhi e zënë familjarët me 368.596.417 lekë. Bizneset rezultojnë me detyrime prej 28.068.937 lekësh, ndërsa institucionet me 25.404.179 lekë.

Gjatë periudhës së audituar, borxhi i abonentëve është rritur me 39.549.757 lekë, ose rreth 9%.

KLSH evidenton mangësi në punën e strukturave përgjegjëse për mbledhjen e detyrimeve dhe kërkon marrjen e masave për përmirësimin e arkëtimeve.

134.9 milionë lekë borxhe ndaj furnitorëve

Vështirësitë financiare shfaqen edhe në marrëdhëniet me subjektet që furnizojnë shoqërinë me mallra dhe shërbime.

Sipas auditimit, në fund të shtatorit 2025, Ujësjellësi Rajonal Korçë kishte detyrime të prapambetura prej 134.962.273 lekësh ndaj 26 subjekteve kreditore.

Kështu, shoqëria përballet njëkohësisht me fatura të pambledhura nga abonentët, detyrime ndaj furnitorëve dhe detyrime të papaguara për kreditë e marra për investime.

Në përfundim të auditimit, KLSH kërkon hartimin e një plani për shlyerjen e detyrimeve, përmirësimin e arkëtimeve nga abonentët, rakordimin e detyrimeve financiare dhe respektimin e kushteve të përdorimit të fondeve publike.

Gjetjet e auditimit ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si është administruar situata financiare e shoqërisë dhe mbi aftësinë e saj për të përballuar detyrimet, ndërkohë që vijon të ofrojë një shërbim jetik për qytetarët.

Burimi: Raporti përfundimtar i auditimit të KLSH-së për Shoqërinë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Korçë.

Lajme Te Ndryshme