Deputeti i Partisë Demokratike Fidel Kreka, ka kujtuar sot 7-vjetorin e ndarjes nga jeta të babait të tij, Artur Kreka, një emër i njohur në sportin e mundjes dhe në lëvizjen demokratike në Korçë prej rrëzimit të bustit të Enver Hoxhēs dhe në vazhdim.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, deputeti ka ndarë një mesazh emocionues, ku shpreh mallin dhe krenarinë për të atin.

“7 vite pa ty, babi. Forcën, karakterin dhe krenarinë që më le, do t’i mbaj gjithë jetën. Nuk je më pranë meje, por emri dhe kujtimi yt do të jetojnë gjithmonë me mua. Të dua dhe jam krenar që jam djali yt!”, – shkruan Fidel Kreka.

Kush ishte Artur Kreka?

I lindur në vitin 1961 në Korçë, Artur Kreka ishte një figurë e njohur si në sportin korçar, ashtu edhe në zhvillimet politike të viteve të para të demokracisë.

Ai spikati veçanërisht në sportin e mundjes klasike, ku arriti rezultate të rëndësishme. Kreka u shpall pesë herë radhazi kampion i Kupës së Republikës, gjatë viteve 1981–1986, si dhe dy herë kampion individual. Për arritjet e tij sportive iu dha titulli “Mjeshtër Sporti”.

Artur Kreka ishte gjithashtu një nga themeluesit e degës së Partisë Demokratike të  Korçës dhe një prej pjesëmarrësve aktivë në lëvizjen antikomuniste të fillimit të viteve ’90. Ai u bë i njohur veçanërisht për pjesëmarrjen në revoltën e 20 shkurtit 1991 në Korçë, gjatë rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha.

Për kontributin e tij në lëvizjen demokratike, u nderua me titullin “Pishtari i Demokracisë”. Ai drejtoi gjithashtu Shoqatën Antikomuniste “20 Shkurti” dhe u vlerësua nga Këshilli Bashkiak i Korçës me titullin “Emblema e Qytetit”.

Artur Kreka u nda nga jeta më 15 nëntor 2019, pas një sëmundjeje të rëndë dhe të gjatë, duke lënë pas kujtimin e një sportisti kampion dhe një prej kontribuesve më të spikatur të zhvillimeve  demokratike në Korçë.

Zefiri.net

Lajme Te Ndryshme