Përkujtohet tragjedia me 14 viktima në Liqenin e Prespës

30 vite më pas, dhimbja mbetet e gjallë. Familjarët e 14 viktimave të tragjedisë në Liqenin e Prespës së Madhe  presin drejtësi dhe dëmshpërblim nga shteti.

13 nxënës të shkollës së mesme në Buçimas dhe mësuesi i tyre, Edmond Mato, humbën jetën gjatë një ekskursioni mësimor, pasi varka me të cilën udhëtonin u përmbys në liqen.
Në shkollën “14 Engjëjt” u zhvillua ceremonia përkujtimore, ku familjarë, nxënës dhe mësues vendosën lule dhe rikthyen kujtimet e tragjedisë që tronditi gjithë vendin. Në bankat e shkollës u vendosën fotografitë, diplomat dhe kujtimet e të rinjve që nuk u kthyen më në shtëpi.
Mes emocioneve, nxënësit interpretuan poezi dhe ese kushtuar 14 viktimave, ndërsa familjarët treguan se plaga mbetet ende e hapur edhe pas tri dekadash.
Shpresa Berberi, nëna e Enkelejda Berberit, kujton natën kur priti vajzën të kthehej nga ekskursioni:
“Darkën ia kisha lënë gati. E pritëm gjithë natën, por nuk erdhi kurrë. Plaga nuk mbyllet.”
Ndërsa Hava Latollari, nëna e një prej viktimave, thotë se familjet ende nuk kanë marrë as drejtësi dhe as dëmshpërblim:
“I dërguam në shkollë për ekskursion, jo për të na i kthyer në arkivol.”
Një tragjedi që pas 30 vitesh vijon të rëndojë në kujtesën e Pogradec dhe gjithë Shqipërisë.

Lajme Te Ndryshme