Dyqani i sahatçinjve Egro, një shekull histori në Pazarin e Korçës
Prej vitit 1928, dyqani i orëndreqësve Egro në Pazarin e Korçës nuk është mbyllur asnjë ditë. Një histori e rrallë familjare, që vijon prej gati një shekulli, duke ruajtur traditën e sahatçinjve më të vjetër të qytetit.
Historia nis me Vahit Egron, i cili në vitet 1920 emigroi drejt Selanikut. Fillimisht punoi si çirak pranë një orëndreqësi me origjinë hebreje, ku mësoi mjeshtërinë e riparimit dhe ndërtimit të orëve. Pas gjashtë vitesh u kthye në Korçë dhe hapi dyqanin e tij në pazarin karakteristik të qytetit.
Familjarët tregojnë se Vahiti nuk ishte thjesht orëndreqës, por një krijues i vërtetë orësh. Në vitin 1928 ai realizoi një orë unike, e cila iu dhurua Mbretit Zog dhe Mbretëreshës Geraldinë në ditën e dasmës së tyre. Dhurata është dokumentuar edhe në shtypin e kohës, ndërsa sot ora ekziston vetëm në fotografitë e pallatit mbretëror. Fatit të saj i janë ngritur shumë hipoteza, nga zhdukja gjatë pushtimit italian deri tek mundësia që të ketë përfunduar në koleksione private.
Tradita e familjes Egro ruhet edhe përmes koleksionit të rrallë të orëve antike, që përfshin modele të prodhuara jashtë serie në Konstandinopojën e dikurshme, si dhe orë të veçanta zvicerane, muri e xhepi.
Profesioni u trashëgua më pas tek Mehdi Egro, i cili e mësoi zanatin pranë të atit që në moshën 9-vjeçare. Edhe gjatë periudhës së komunizmit, dyqani nuk e ndërpreu aktivitetin, pasi familja u bë pjesë e kooperativës së zejtarëve të qytetit për të vijuar profesionin.
Sot tradita vijon përmes vajzave të familjes. Monika Egro punon ende në dyqanin historik të Korçës, ndërsa dy motrat e saj e ushtrojnë profesionin në Milano.
Brezi më i ri po mëson po ashtu zanatin. Djali i Monikës, Dejoni, përdor për praktikë orët e famshme PRIM të kohës së komunizmit, pikërisht me të njëjtat modele me të cilat ka mësuar dikur edhe e ëma.
Një dyqan i vogël në Pazarin e Korçës, por me një histori që mat kohën prej afro 100 vitesh.
Roland Beqiraj/ Historia një shekullore e dyqanit të sahatçinjve Egro
1–2 minuta




