Një i akuzuar dhe dënuar me 8 vite burg nga Gjykata e Korçës, për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lêndëve narkotike”, D.B. ka fituar pafajësinë nga Gjykata e Apelit në Tiranë.
Avokati i mbrojtës Ibrahim Feimi bën publik rastin, ku ngre shqetësimin e procedimeve arbitrare dhe të pa mbështetura në prova.
” Dua te ndaj me ju sot nje ceshtje penale e perfunduar me sukses dhe pafajesi. Ne punen time ne gjithe keto vite rralle here kam komentuar ceshtjet gjyqesore por ajo qe eshte e vecante ne kete cështje eshte fakti se i pandehuri nuk kishte asnje prove per fajesine e tij. Dhe ne mungese te provave Prokuroria e Shkalles se Pare Korce, kerkon 8 vjet burgim dhe gjykata po ashtu e denon te pandehurin padrejtesisht me 8 vjet burgim.
Sot, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë vendosi pafajësinë e plotë të të mbrojturit tim, duke rrëzuar një vendim dënimi me 8 vite burgim të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, për akuzën e “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim”, akuzë e ngritur dhe e mbështetur pa asnjë provë të drejtpërdrejtë, konkrete dhe ligjërisht të besueshme.
Ky vendim përbën jo vetëm një fitore profesionale dhe juridike, por mbi të gjitha një triumf të shtetit të së drejtës ndaj praktikave hetimore dhe akuzuese të ndërtuara mbi hamendësime, supozime dhe interpretime arbitrare të ligjit penal.
Për rreth tre vite e gjysmë, i pandehuri u mbajt nën hetim penal nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, në mungesë totale të provave reale dhe në kundërshtim flagrant me standardet kushtetuese, proceduriale dhe konvencionale të një procesi të rregullt ligjor. Megjithatë, pavarësisht mungesës së elementëve provues, çështja u dërgua për gjykim, duke cenuar rëndë jo vetëm lirinë dhe dinjitetin e individit, por edhe vetë besimin publik tek organi i akuzës dhe funksioni kushtetues i tij.
Vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë për pafajësi është një vendim dinjitoz, profesional dhe juridikisht i drejtë, i cili rikthen standardin që drejtësia duhet të bazohet vetëm mbi prova dhe ligj, e jo mbi supozime apo mekanizma formalë akuze.
Sot fitoi jo vetëm një qytetar i pafajshëm, por fitoi vetë parimi themelor se liria e njeriut nuk mund të sakrifikohet për të justifikuar mangësitë e hetimit apo dështimin e organit të akuzës për të provuar fajësinë sipas standardit që kërkon ligji” – thotë mes të tjerash avokati që fitoi çështjen në Gjykatën e Apelit.
Fiton pafajësinë i dënuari me 8 vite burg për drogë
2–3 minuta




