Një prej monumenteve më të rralla të trashëgimisë kulturore në juglindje të vendit do t’i nënshtrohet restaurimit. Ka nisur ndërhyrja për restaurimin e Kullës së Turanit, monument kulture i kategorisë së parë, i vendosur në fshatin Turan, një dëshmi e çmuar e historisë dhe arkitekturës tradicionale shqiptare.
Investimi financohet nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK), ndërsa projekti i restaurimit është hartuar në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë.
Ndërhyrja synon ruajtjen e origjinalitetit dhe forcimin strukturor të monumentit, duke i dhënë jetë të re kësaj pasurie kulturore dhe duke garantuar mbrojtjen e saj për brezat që do të vijnë.
E ndërtuar mes shekujve XVIII-XIX, Kulla e Turanit konsiderohet një nga objektet më karakteristike të arkitekturës së fortifikuar në juglindje të Shqipërisë. Monumenti ka formë katrore, rreth 15 metra lartësi dhe është i ndarë në katër kate, me nga një ambient në secilin prej tyre. Mungesa e dritareve, muret e trasha prej guri dhe volumi i mbyllur tregojnë qartë funksionin mbrojtës që ka pasur ndërtesa.
Kulla përfaqëson një dëshmi të rëndësishme të jetës sociale dhe organizimit mbrojtës të zonës në periudhat e trazirave, ndërsa për specialistët e trashëgimisë ajo mbetet një nga simbolet identitare të fshatit Turan dhe gjithë krahinës së Korçës.
Prej vitesh monumenti ishte në gjendje të rënduar degradimi. Çarjet në mure, dëmtimi i çatisë dhe amortizimi i elementëve mbajtës kishin vënë në rrezik serioz strukturën e kullës. Reshjet e dendura të viteve të fundit e përkeqësuan edhe më tej situatën, duke e futur objektin në listën e monumenteve në risk.
Specialistët kanë theksuar se restaurimi nuk do të jetë thjesht estetik, por një proces konservues për të shpëtuar strukturën origjinale dhe për të ruajtur autenticitetin historik të monumentit.
Nisja e restaurimit shihet si një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në qarkun e Korçës, ndërsa banorët e zonës shpresojnë që Kulla e Turanit të rikthehet jo vetëm si monument historie, por edhe si një pikë referimi për turizmin kulturor.

Lajme Te Ndryshme