Nën një atmosferë dhimbjeje dhe respekti të thellë, qyteti i Pogradecit i dha sot lamtumirën e fundit Dëshmorit të Atdheut, efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili humbi jetën në krye të detyrës gjatë një operacioni policor.

Qindra qytetarë, familjarë, miq, kolegë dhe banorë të zonës zhvilluan homazhe në Qendrën Kulturore të Pogradecit, duke nderuar sakrificën e policit që ra në shërbim të rendit dhe sigurisë së qytetarëve.

Në ceremoninë shtetërore të organizuar në nder të tij morën pjesë Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita, si dhe përfaqësues të institucioneve qendrore e vendore.

Arkëmorti i mbuluar me flamurin kombëtar u shoqërua nga nderimet e kolegëve të tij, ndërsa pjesëmarrja e jashtëzakonshme e qytetarëve dëshmoi respektin dhe mirënjohjen për sakrificën e Enea Mekollit.

Efektivi i Policisë së Shtetit humbi jetën një ditë më parë gjatë një operacioni për kapjen e personit të shpallur në kërkim, Violand Braçellari. Për aktin e tij të lartë të shërbimit dhe sakrificës supreme, ai është shpallur Dëshmor i Atdheut.

SINKRON – ALBANA KOÇIU

“Në fakt, humbja e jetës së Dëshmorit të Atdheut, Enea Mekolli është një ngjarje shumë e rëndë, ashtu siç është i rëndë çdo incident që kryhet në funksion të ushtrimit të detyrës, e mbi të gjitha të një detyre kaq fisnike sa mbrojtja, garantimi dhe siguria e rendit publik.”

Mes lotëve, kurorave me lule dhe nderimeve shtetërore, Pogradeci përcolli sot një prej bijve të tij, i cili zgjodhi të përmbushte detyrën deri në sakrificën më të lartë. Emri i Enea Mekollit i shtohet tashmë listës së atyre që ranë në shërbim të ligjit dhe të qytetarëve, duke lënë pas një histori përkushtimi, guximi dhe përgjegjësie në uniformën e Policisë së Shtetit.

Lajme Te Ndryshme