Vrau një efektiv policie dhe plagosi një tjetër, i forti i maleve, pret sot masën e sigurisë në Spitalin e Traumës
Për 9 vite i fshihej drejtësisë, sot përballet me masën e sigurisë pas ngjarjes që tronditi vendin!
Autori i dyshuar i vrasjes së efektivit të policisë Enea Mekolli dhe plagosjes së efektivit Edison Adri do të njihet sot me masën e sigurisë. Seanca pritet të zhvillohet në ambientet e Spitalit të Traumës, ku ndodhet i shtruar Violand Bracllari, i cili mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë në operacionin për kapjen e tij.
Bracllari ishte dënuar nga Gjykata e Korçës në vitin 2017 me 10 vite burg për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. Për afro 9 vite ai i është shmangur ekzekutimit të dënimit, duke jetuar në arrati dhe duke u fshehur në zona të thella malore e stane.
Sipas të dhënave të hetimit, gjatë kontrollit në vendin ku ai qëndronte, policia gjeti tre armë zjarri dhe radio policie. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se një sasi e madhe municioni ishte përdorur gjatë përplasjes së armatosur me efektivët e policisë, operacion që përfundoi me humbjen e jetës së Enea Mekollit dhe plagosjen e Edison Adrit.
Sot pritet që Gykata e Korçës të vendosë mbi masën e sigurisë për njeriun që për gati një dekadë jetoi në arrati dhe që tashmë akuzohet për një nga ngjarjet më të rënda ndaj Policisë së Shtetit në vitet e fundit.
Vrau një efektiv policie, plagosi një tjetër, Braçellari pret masën e sigurisë në spital
1–2 minuta




