Një delegacion eurodeputetësh dhe parlamentarësh nga Bullgaria zhvilloi një vizitë në Korçë, ku mori pjesë në një diskutim të hapur mbi arsimin dhe çështjet që lidhen me komunitetin e minoritetit në këtë zonë.
Gjatë vizitës, eurodeputeti bullgar Andrey Kovatchev u ndal edhe te procesi i integrimit europian të Shqipërisë. Ai deklaroi se Parlamenti Europian pritet të miratojë javën e ardhshme në Strasburg raportin vjetor të zgjerimit për Shqipërinë, duke vlerësuar progresin e arritur dhe angazhimin e forcave politike shqiptare për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
I pyetur nëse protestat e fundit në vend mund të ndikojnë në rrugën europiane të Shqipërisë, Kovatchev tha se institucionet europiane po ndjekin me vëmendje zhvillimet, ndërsa theksoi se zgjidhja e situatave të tilla i takon klasës politike shqiptare, në respekt të ligjit dhe standardeve europiane, veçanërisht atyre mjedisore.
Eurodeputeti bullgar u shpreh se protestat janë një element normal i demokracisë, për sa kohë ato zhvillohen në mënyrë paqësore dhe qytetarët kanë mundësinë të shprehin shqetësimet e tyre. Sipas tij, zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet, ndërsa palët politike duhet të dialogojnë për të gjetur zgjidhjet më të mira për vendin.
Kovatchev bëri thirrje për bashkëpunim mes qeverisë dhe opozitës, duke nënvizuar se objektivi kryesor mbetet përshpejtimi i procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Ai vlerësoi gjithashtu rolin e Shqipërisë si aleate në NATO dhe shprehu bindjen se vendi mund të bëhet pjesë e Bashkimit Europian në një të ardhme të afërt.
Delegacioni bullgar ndodhej në Korçë në kuadër të një takimi të hapur kushtuar arsimit dhe çështjeve të komunitetit të minoritetit në rajon, si pjesë e bashkëpunimit dhe dialogut mes institucioneve shqiptare dhe europiane.
Korçë / Eurodeputetët bullgarë: BE po ndjek protestat, zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet
1–2 minuta




