Mos e ngatërroni me virozat ! Mjeku Tritan Kalo thirrje për kujded ndaj fruthit

Mjeku i njohur Tritan Kalo ka bërë  thirrje për vigjilencë ndaj fruthit, një sëmundje shumë ngjitëse që vazhdon të përbëjë rrezik, sidomos në kushtet e lëvizjeve të shumta të popullsisë dhe rritjes së rasteve në disa vende europiane.
Sipas tij, simptomat fillestare mund të ngatërrohen me viroza të zakonshme, duke përfshirë temperaturë, dhimbje fyti, skuqje të syve dhe dobësi trupore. Më pas shfaqen njollat karakteristike të kuqe në lëkurë, të cilat përhapen shpejt në të gjithë trupin.
Kalo thekson se fruthi është ndër sëmundjet infektive me përhapjen më të shpejtë dhe këshillon izolimin e rasteve të dyshuara, si dhe shmangien e frekuentimit të çerdheve, kopshteve, shkollave dhe ambienteve të mbushura me njerëz.
Sipas specialistit, mbrojtja më efektive mbetet vaksinimi me vaksinën MMR (Fruth-Shyta-Rubeolë), e cila jepet në dy doza gjatë fëmijërisë dhe ul ndjeshëm rrezikun e përhapjes së sëmundjes.
Ai kujton gjithashtu se fruthi nuk ka trajtim specifik dhe se përdorimi i antibiotikëve nuk rekomandohet pa këshillën e mjekut, pasi bëhet fjalë për një sëmundje virale.
“Parandalimi përmes vaksinimit mbetet arma më e fortë kundër fruthit”, thekson mjeku Tritan Kalo.

Lajme Te Ndryshme