Qindra kuintalë patate të prodhuara në Fushën e Maliqit kanë mbetur pa shitur dhe po kalben në fushë. Në fshatin Orman-Pojan, fermerët përballen me një situatë që e cilësojnë ndër më të vështirat të viteve të fundit.
Nëse deri vitin e kaluar shqetësimi kryesor ishte çmimi i ulët i blerjes, këtë sezon problemi ka ndryshuar. Fermerët thonë se sot nuk diskutohet më për çmimin e patates, por për mungesën pothuajse totale të tregut. Sipas tyre, edhe me çmime shumë të ulëta, prodhimi nuk po gjen blerës.
Patatet e grumbulluara në kavaleta qëndrojnë prej nëntë muajsh në pritje të tregtarëve. Një pjesë e konsiderueshme e prodhimit është dëmtuar, ndërsa pjesa tjetër rrezikon të përfundojnë si mbetje në lumë.
Një nga fermeret e zonës tregon se ka ende rreth 700 kuintalë patate pa shitur. Humbjet ekonomike llogariten në disa milionë lekë, ndërsa prodhimi i mbetur pritet të hidhet, pasi nuk ka më asnjë mundësi tregtimi.
Veç patates, edhe qepa, pavarësisht uljes së çmimit, ka mbetur stok në magazina dhe në fushë.
Fermerët tregojnë se tregtarët që në vitet e kaluara vinin nga Tirana dhe qytete të tjera për të blerë pataten e Maliqit, këtë vit pothuajse nuk janë shfaqur fare.
Edhe pse patatja e Maliqit njihet si produkt cilësor dhe me traditë në tregun vendas, për fermerët po bëhet çdo vit dhe më e vështirë të konkurrojnë me produktet e importuara.
Mungesa e pikave të grumbullimit, kontratave të shitjes dhe mekanizmave të marketingut për produktin vendas po e bên të vështirë nxjerrjen e prodhimeve të fermerëve në treg. Për pasojë, shumë fermerë po detyrohen të hedhin prodhimin ose të heqin dorë nga mbjelljet për sezonin e ardhshëm.
Fusha e Maliqit është një nga zonat më të rëndësishme të prodhimit të patates në vend. Çdo vit, prodhohen mbi 35 mijë tonë patate, duke zënë më shumë se gjysmën e prodhimit të kësaj kulture në Qarkun e Korçës.
Patatja e Maliqit kalbet fushave, importi gjunjëzon fermerët
1–2 minuta




