Radhët e gjata të automjeteve në pikën kufitare të Qafë Thanës, veçanërisht gjatë sezonit turistik, pritet t’i përkasin së shkuarës. Zyrtarë vendorë nga Pogradeci dhe Struga, së bashku me përfaqësues të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, zhvilluan një takim për të diskutuar hapat e fundit drejt zbatimit të sistemit të kontrollit të përbashkët kufitar.
Marrëveshja është ratifikuar tashmë nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, ndërsa pritet miratimi i saj edhe nga pala shqiptare. Synimi është që udhëtarët dhe mjetet të kontrollohen vetëm një herë në hyrje ose dalje, duke reduktuar ndjeshëm kohën e pritjes në kufi.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu edhe për lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave nëpërmjet Liqenit të Ohrit. Autoritetet lokale të Pogradecit dhe Strugës deklaruan se procedurat dhe diskutimet janë drejt përfundimit, me synimin për të krijuar një lidhje më të shpejtë dhe më funksionale mes dy qyteteve.
Sipas tyre, hapja e lëvizjes ujore do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e turizmit, ekonomisë lokale dhe shkëmbimeve mes dy brigjeve të liqenit.
Vetëm gjatë sezonit turistik, nga pika kufitare e Qafë Thanës kalojnë rreth 1 milion udhëtarë. Zbatimi i sistemit të kontrollit të përbashkët pritet të sjellë një model të ngjashëm me atë që funksionon aktualisht mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke shmangur vonesat dhe radhët e gjata në kufi.
Qafë Thanë /Marrin fund pritjet në doganë, kontrolli vetëm në një sportel
1–2 minuta




