Niko Peleshi gëzohet se përfundoi Poli 4 milion euro i Dijes,por harron së në 5 vite universiteti humbi 2300 studentë
Universiteti “Fan S. Noli” i Korçës po përballet prej vitesh me një rënie të ndjeshme të numrit të studentëve, një fenomen që po prek pothuajse të gjitha universitetet publike në rrethe. Sipas të dhënave të publikuara nga INA Media, në vetëm pesë vite numri i studentëve në Universitetin e Korçës është përgjysmuar, duke zbritur nga 4.261 studentë në vitin 2018 në vetëm 2.336 studentë.
Rënia e regjistrimeve ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin e institucionit. Shumë programe studimi vazhdojnë të mbahen hapur edhe me një numër shumë të ulët studentësh, ndërsa në disa raste raporti pedagog-student ka arritur në nivelin 1 me 1. Nga 50 programe aktive, 22 rezultojnë me këtë raport, shumë larg mesatares kombëtare prej 1 pedagogu për 26 studentë.
Pavarësisht humbjes së rreth 2 mijë studentëve, universiteti ka mbyllur vetëm katër programe studimi gjatë viteve të fundit. Në të njëjtën kohë, kostoja për student është rritur ndjeshëm: nga 154 mijë lekë në vitin 2019 në 206 mijë lekë në vitin 2022, si pasojë e numrit më të vogël të studentëve që ndajnë të njëjtat shpenzime institucionale.
Situata u konsiderua aq kritike sa në vitin 2023 Senati Akademik miratoi bashkimin e Universitetit të Korçës me Universitetin e Tiranës, duke argumentuar se institucioni e kishte të vështirë të mbijetonte si universitet i pavarur. Megjithatë, procesi nuk u realizua pas ndërhyrjes së Ministrisë së Arsimit.
Ekspertët e arsimit e lidhin këtë rënie me emigracionin e të rinjve, uljen e numrit të maturantëve, përqendrimin e studentëve në Tiranë dhe mungesën e programeve të reja që lidhen me kërkesat e tregut të punës. Fenomeni nuk është vetëm korçar; universitete si ato të Shkodrës, Elbasanit, Vlorës dhe Gjirokastrës po përjetojnë të njëjtën krizë, ndërsa Universiteti i Durrësit mbetet përjashtimi i vetëm që ka ruajtur relativisht numrin e studentëve.
Sot, sfida më e madhe për Universitetin e Korçës nuk është ndërtimi i godinave të reja, por rikthimi i studentëve në auditore.
Korçë/ 4 milion euro për Polin e Dijes, por në 5 vite kemi humbur 2 300 studentë
1–2 minuta




