Lidhja Demokratike e Gruas ka nisur një tjetër proces riorganizimi të strukturave të saj. Nga postimet e kryetares së kësaj organizate partnere shohim që në disa fshatra të Elbasanit, gratë demokrate thirren të votojnë drejtueset e strukturave lokale.

E gjitha sa bën Albana Vokshi sot dhe 14 vite të shkuara duket si një proces normal demokratik për riorganizimin e strukturave.

Por, në fakt, nuk është ashtu si duket.

Nëse vota është mekanizmi që u jep legjitimitet drejtuesve në bazë, përse i njëjti standard nuk zbatohet edhe për drejtimin qendror të organizatës? Pse gratë demokrate votojnë për kryetaret e grupseksioneve nē çdo katund, por nuk kanë të njëjtën mundësi të zgjedhin kryetaren e Lidhjes Demokratike të Gruas?

Ky debat vijon prej më shumë se njē dekade, aq sa është koha që Albana Vokshi mban pa zgjedhje postin e kryetares së LDG, që i ka dhënë pushtet absolut në raport me Berishën sot dhe Bashën dje, që i siguron automatikisht mandatin e deputetes dhe vendin në Kryesi.

Në nëntor të vitit 2021, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shpalli nisjen e procesit për zgjedhjen e kryetares së Lidhjes Demokratike të Gruas, sipas parimit, një anëtar, një votë.  Megjithatë, për shkak të krizës së thellë që përfshiu PD, procesi nuk u finalizua kurrë dhe organizata mbeti pa një garë të përfunduar për drejtimin e saj.

Sot, katër vite më vonë, historia po përsëritet.

Albana Vokshi ka nisur sërish zgjedhjet në bazë, duke kërkuar që gratë demokrate të zgjedhin drejtueset e grupseksioneve dhe strukturave lokale dhe aty ka për të ngecur procesi pa shkuar kurrë deri në kupolën drejtuese, që Vokshi e mban me 5 gra nga Kuksi Tropoja, Shkodra dhe Berati, të cilat i promovon dhe emeron ne formume.

Riorganizimi i vazhdueshëm i bazës së LDG, pa zhvilluar zgjedhje për drejtimin qendror, ka krijuar prej shumë vitesh  një mekanizëm, ku legjitimiteti rinovohet vetëm për strukturat lokale, ndërsa kryetarja mbetet jashtë të njëjtit standard demokratik.

Këto marifete të Albana Vokshit, po e mbajnë LDG në një cikël të përhershëm riorganizimi, pa prekur kurrë drejtimin në kupolë, që i shërben kalcifikimit të Vokshit në karrike pushteti.

Lajme Te Ndryshme