Edicioni i 7-të i Mokra N’Fest mblodhi qimdra banorë të zonës dhe vizitorë në një festë ku mokrarët nxorën në pah gjithçka që i bën krenarë: traditat, kulturën, historinë, mikpritjen, bujarinë dhe mënyrën e tyre të veçantë për të festuar.
Nga guri qindravjeçar i mokrës, që dikur bluante drithin, te peizazhet e jashtëzakonshme të kësaj treve; nga dollia dhe gatimet tradicionale te punimet artizanale, këngët, vallet dhe sportet ujore, Mokra u kthye për një ditë në një skenë të madhe të trashëgimisë së saj.
Emri Mokër lidhet pikërisht me mullinjtë me ujë që dikur ishin të shumtë në këtë zonë dhe bluanin drithin. Shefqet Lushka është një prej atyre që vazhdon të ruajë një pjesë të kësaj historie, përmes gurëve mbi 400-vjeçarë të mokrës.
Por Mokra N’Fest nuk është vetëm folklor. Është edhe një ditë bashkimi. Një ditë kur banorët e trevës, emigrantët dhe mokrarët e shpërndarë në qytete të ndryshme të Shqipërisë kthehen në vendlindje.
Dollia e dasmës mokrare, këngët e burrave e grave, veshjet tradicionale dhe pritja e miqve u bënë pjesë e një feste që synon ta mbajë gjallë identitetin e kësaj zone.
Për Bashkinë e Pogradecit, krahas promovimit të Mokrës si një destinacion autentik, në fokus janë edhe investimet për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj treve.
Vetëm pak muaj më parë, Ministria e Turizmit e renditi Mokra N’Fest si të dytën ndër festat më të mira në Shqipëri për promovimin e traditave.
Mokra N’ Fest / Traditë shekullore, histori dhe qindra të kthyer në vendlindje
1–2 minuta




