Shkrirja e bashkisë së Maliqit/ Topçiu, as mish, as peshk /

Kryetari i Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu, ka shprehur rezervat e tij për projektligjin që parashikon bashkimin e Bashkisë Maliq me Bashkinë Korçë, duke theksuar se debati nuk duhet të reduktohet te pozicioni i një kryetari bashkie.
Në konsultimin publik me banorët e Maliqit, Topçiu tha se shqetësimi kryesor duhet të jetë çfarë do të ndryshojë realisht për qytetarët: shërbimet, kompetencat, financat dhe investimet.
Sipas tij, projektligji nuk parashikon thjesht shkrirjen e Maliqit, por një tjetër formë organizimi. Maliqi do të vijojë të funksionojë si një njësi me organizim të brendshëm, ndërsa në vend të kryetarit të bashkisë do të ketë një zëvendëskryetar funksional. Edhe njësitë administrative do të vijojnë të jenë të lidhura me strukturën e Maliqit, jo drejtpërdrejt me Korçën.
Por pyetja, sipas Topçiut, mbetet më e madhe:
Çfarë statusi do të kenë qytetet? Kush do të ketë kompetencat? Si do të financohen? Sa investime do të marrin? Dhe mbi të gjitha, a do të jenë shërbimet më pranë qytetarëve apo më larg tyre?
“Për mua nuk duhet parë bashkia, pozicioni apo organizimi si një moment që duhet të qajmë hallin e një kryetari bashkie”, u shpreh Topçiu, duke shtuar se duhet parë se sa do t’u shërbejë kjo reformë qytetarëve dhe sa do të ndikojë në zhvillimin e Maliqit.
Bashkia Maliq ka një territor të gjerë dhe, sipas të dhënave të Censit të fundit, rreth 31 mijë banorë, ndërsa në gjendjen civile rezultojnë mbi 65 mijë.
Për Topçiun, përpara se të merret një vendim për një reformë të tillë, nuk mjafton vetëm ndryshimi ligjor. Nevojiten qartësi edhe për ligjin e pushtetit vendor, financat vendore dhe kompetencat që do të kenë qytetet.

#Maliq #ReformaTerritoriale #GëzimTopçiu #BashkiaMaliq #Korçë #Zefiri #AdministrataVendore

Lajme Te Ndryshme