Dy gra dhe tre fëmijë shqiptarë janë riatdhesuar nga Siria. Ata mbërritën në Rinas nga Turqia në orën 01:20 të 26 gushtit, pas përfundimit të një operacioni të koordinuar nga institucionet shqiptare, përfaqësitë diplomatike dhe konsullore dhe autoritetet e vendeve të përfshira.
Mes të riatdhesuarve është edhe 79-vjeçarja Hajrije Taushani, e cila kishte udhëtuar drejt Sirisë pas humbjes së djalit të saj, i cili ishte larguar për t’iu bashkuar ISIS-it. Ajo kishte shkuar për të marrë dhe kujdesur për nipërit e saj.
Pas rënies së ISIS-it, Hajrije Taushani kishte mbetur në kampin Al-Hol, në kushte tejet të vështira, duke u kujdesur edhe për fëmijë jetimë që ndodheshin nën kujdesin e saj.
Riatdhesimi u bë pas një procesi të gjatë të ndjekur nga Policia e Shtetit dhe Njësia Antiterror, në bashkëpunim me autoritetet siriane. Për shkak se të riatdhesuarit nuk kishin dokumente udhëtimi, Ministria e Jashtme mundësoi pajisjen me leje kalimi. Ata udhëtuan nga Siria drejt Stambollit dhe më pas drejt Tiranës.
Por ndërsa pesë shqiptarë janë kthyer në atdhe, pesë fëmijë nga Pogradeci vijojnë të mbeten në kampet e Sirisë.
Bëhet fjalë për fëmijët e familjes Shuli nga Zagorçani, të cilët ndodhen prej vitesh në kampet siriane. Gjyshi i tyre, Dylber Shuli, ndërroi jetë më 23 gusht, pa mundur t’i shihte apo t’i sillte në Shqipëri, pas më shumë se një dekade apeli për kthimin e tyre.
Historia e tyre rikthehet në vëmendje pikërisht në ditën kur një tjetër grup shqiptarësh largohen nga kampet e Sirisë.
#Siri #Riatdhesim #Pogradec #Zagorçan #AlHol #ISIS #ShqiptarëtNëSiri #FëmijëtNëSiri #Lajme #Zefiri #BreakingNews




