Më 27 shtator 2025, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, Korça priti fronëzimin e Imzot Anastas Mamajt si Mitropolit i Korçës.

Në fjalimin e tij të parë pas fronëzimit, mitropoliti e përkufizoi misionin e tij përmes shërbimit. ” Të mbajë të ndezur pishtarin e besimit, të ngushëllojë të plagosurit dhe të jetë një shenjë e gjallë e Krishtit mes besimtarëve. Ai tha gjithashtu se nuk kishte ardhur për të kërkuar lavdi tokësore, por për të shërbyer, duke e përmbledhur këtë përgjegjësi me fjalët: “Ky vend që po më besohet nuk është i imi, por i Zotit.”



Një vit shërbesa për komunitetin e të gjithë qarkut

Pas fronëzimit, një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së Mitropolitit ka qenë prania në komunitetet ortodokse të qarkut.

Imzot Anastasi ka drejtuar shërbesa në Korçë, Pogradec, Devoll, Pustec dhe dhe zona të tjera, duke qenë i pranishëm në kremtime dhe festa të rëndësishme të kalendarit ortodoks.

Në Pogradec, në prill, ai drejtoi shërbesat e së Dielës së Dafinave në Kishën e Fjetjes së Hyjlindëses. Dy javë më vonë, ishte në Çiflig, në Kishën e Shën Thomait, ku mesazhi i tij u përqendrua te besimi, dyshimi dhe kërkimi i së vërtetës.

Në korrik, Imzot Anastasi drejtoi shërbesën në Hoçisht dhe bekimin e ujit në Satrivaç, ndërsa prifti  Viktor Konomi u gradua në Protopresviter.

Nga festat fetare tek vëmendja për të rinjtë

Viti i parë i shêrbimit të Mitropolitit nuk u kufizua vetëm në shërbesat liturgjike.

Në korrik, në Boboshticë dhe Voskopojë u zhvilluan kampet verore të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë për të rinjtë 18–30 vjeç, nën kujdesin e Mitropolitit Anastas.

Programi përfshinte lutje, Liturgji Hyjnore, biseda shpirtërore, dëshmi, bashkëbisedime, veprimtari në grup dhe pelegrinazhe.

Në shtator, Mitropoliti bekoi nisjen e vitit të ri shkollor në shkollat “Omiros” dhe “Platon” në Korçë.



Në Krishtlindjet e para si Mitropolit i Korçës, Anastasi e përqendroi mesazhin e tij te njeriu, dinjiteti njerëzor, dashuria dhe e vërteta.

Në Pashkën e parë në këtë detyrë, veprimtaria e Mitropolisë përfshiu edhe “Mbrëmësoren e Dashurisë”.

Në prill, ai drejtoi edhe shërbesën e Shën Llazarit, gjatë së cilës Kostandin Meko u dorëzua në gradën e dhjakonit.

NJË VIT MË PAS

Më 16 shtator 2026, Mitropolia e Korçës shënoi me Liturgji Hyjnore një vit nga zgjedhja e Anastas Mamajt në këtë detyrë.

Në njoftimin e saj, Mitropolia e përshkruan vitin e parë si një periudhë të përqendruar te kujdesi shpirtëror, forcimi i komuniteteve ortodokse dhe vijimi i veprës dhe dëshmisë së Kishës në rajon.

Një vit pas fronëzimit, mbetet për t’u parë se si është përjetuar ky vit nga vetë besimtarët e Korçës, sa është forcuar lidhja me komunitetet lokale dhe cilat do të jenë sfidat e vitit të dytë.

Sepse ajo që u tha në ditën e fronëzimit ishte një premtim për shërbim.

Tani, një vit më pas, janë veprimet dhe përvoja e komunitetit ato që tregojnë se si është përkthyer ai mesazh në praktikë.

Lajme Te Ndryshme