Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut kërkojnë statusin e UNESCO-s për Liqenin e Prespës/ A e pyeti kush bashkinë dhe komunitetin e Pustecit ?
Greqia po synon që Liqeni i Prespës të marrë statusin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, pas përfshirjes së fundit të Malit Olimp në listën e organizatës.
Nisma, e ndërmarrë fillimisht nga Greqia në vitin 2014, tashmë po ndiqet bashkërisht me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat ndajnë liqenin me Greqinë. Përpjekja ka edhe mbështetjen e Bashkimit Europian, i cili ka rënë dakord të financojë studimet fillestare për kandidaturën e propozuar.
Ministrat e Kulturës të tre vendeve Lina Mendoni e Greqisë, Blendi Gonxhja i Shqipërisë dhe Sedat Sulejmani i Maqedonisë së Veriut u takuan të premten në bashkinë e Prespës për të diskutuar hapat e mëtejshëm. Në takim do të marrë pjesë edhe Michalis Rokas, kreu i Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, raporton media greke “Kathimerini, në një shkrim të publikuar më 2 tetor.
Rokas i tha gazetës “Kathimerini” se mbështetja e BE-së shkon përtej mbështetjes politike dhe përfshin financimin e studimeve fillestare. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë më të gjerë gjeopolitike të bashkëpunimit mes tre vendeve fqinje për mbrojtjen dhe promovimin e një pasurie të përbashkët natyrore dhe kulturore.
Kryetari i Bashkisë së Prespës, Giorgos Stergiou, e përshëndeti nismën, duke deklaruar se bashkia është “e gatshme ta mbështesë këtë përpjekje”.
“Ndikimi shkon shumë përtej vetë kandidaturës”, tha ministri shqiptar i Kulturës për agjencinë ATA. Sipas tij, njohja nga UNESCO mund t’i sjellë Prespës më shumë vëmendje ndërkombëtare, mundësi të reja për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë së saj, zhvillim të qëndrueshëm dhe turizëm me cilësi më të lartë.
Propozimi grek daton në janar 2014, kur Prespa u përfshi në listën paraprake të UNESCO-s si një pasuri e mundshme e përzier natyrore dhe kulturore. Propozimi evidentonte biodiversitetin dhe ligatinat e zonës, si edhe monumentet bizantine dhe pasbizantine, përfshirë eremitazhet e ndërtuara në brigjet e pjerrëta të liqenit.
Tre vendet kishin rënë dakord më herët të bashkëpunonin për mbrojtjen e ekosistemit të Prespës gjatë takimeve trepalëshe të kryeministrave në vitet 2000 dhe 2009. Bashkëpunimi përfshiu krijimin e Parkut Ndërkufitar të Prespës, por nismat e përbashkëta dhe propozimi për UNESCO-n humbën më pas ritmin mes tensioneve më të gjera politike në rajon.
Ligatina e Prespës është tashmë e mbrojtur në kuadër të mekanizmave ndërkombëtarë dhe europianë, përfshirë Konventën Ramsar dhe rrjetin Natura 2000.
Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut kërkojnë të futin Prespën në UNESCO. A u pyet bashkia dhe komuniteti i Pustecit ?
2–3 minuta




