Kishat e Korçës, Kolonjës dhe gjithë juglindjes janë përballur ndër vite me një seri vjedhjesh të ikonave, pjesëve të ikonostaseve, dyerve të gdhendura, librave të vjetër dhe objekteve të tjera të kultit.

Rastet e dokumentuara shtrihen në disa vite dhe në disa prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë së Juglindjes.

Shën Thanasi, të paktën katër herë i grabitur

Një nga rastet më domethënëse është Kisha e Shën Thanasit në Voskopojë.

Nga dokumentet dhe raportimet e publikuara ndër vite rezultojnë të paktën katër grabitje të dokumentuara, në vitet 2004, 2005, 2007 dhe 2012.

Në vitin 2004 u morën vepra arti, ikona dhe një pjesë e ikonostasit. Në vitin 2005 kisha u grabit përsëri, ndërsa në vitin 2007 u morën sërish ikona dhe pjesë të ikonostasit.

Në vitin 2012 u raportua një tjetër grabitje, ku u morën objekte të vjetra kishtare. Një kambanë bronzi në Manastirin e Shën Pjetrit dhe Pavlit nē Vithkuq u vodh në vitin 2017, ngjarje që mbeti pa autorë si shumica e vjedhjeve të objekteve të kultit në juglindje.

Të njëjtat objekte kulti u goditën në mënyrë të përsëritur ndër vite dhe vjedhjet synuan pjesët më të çmuara të inventarit artistik dhe historik të kësaj trashëgimie të vyer.

Zinxhiri i vjedhjeve vazhdon.

Në vitin 2009, nga Kisha e Shën Gjergjit në Shipskë u morën ikona, pjesë të dyerve të gdhendura dhe pjesë të ikonostasit.

Po atë vit u grabit edhe Kisha e Shën Mërisë në Voskopojë, prej nga u morën disa ikona.

Në Vithkuq, kishat e Shën Kollit dhe Shën Pjetrit u grabitën po në vitin 2009. Prej tyre u morën ikona, libra të vjetër dhe objekte të tjera me vlerë.

Ndërsa në Leskovik, Kisha e qytetit u grabit në vitin 2009 dhe përsëri në vitin 2010. Në këto raste u morën vepra arti dhe objekte druri të gdhendura.

Kronologjia tregon se vjedhja e kishave ishte nje seri episodesh, që goditën trashëgiminë kulturore, nga njëra anë dhe treguan  pak seriozitet të organeve ligjzbatuese për zbulimin e autorëve dhe rrjetin e mirëorganizuar të trafikut kombëtar dhe ndërkombëtar  të këtyre objekteve.

Gjurmët çojnë te trafiku i ikonave

Një nga episodet më të rëndësishme në këtë histori është operacioni “Ikona” i vitit 2013.

Gjatë operacionit u sekuestruan qindra objekte, të dyshuara si pjesë e trafikut të veprave të artit.

Mes tyre ishin 223 ikona.

Policia deklaroi gjithashtu sekuestrimin e 70 objekteve prej druri, pjesë ikonostasesh dhe objekteve të tjera religjioze, të dyshuara si të vjedhura në kishat e rrethit të Korçës.

Hetimi përfshiu edhe shitjen e ikonave jashtë Shqipërisë.

Përveç vlerës së tyre historike dhe artistike, objektet e vjedhura kishin edhe vlerë në tregun e artit.

Në rastin e Shën Thanasit në Voskopojë, është dokumentuar vjedhja e pjesëve të ikonostasit dhe ikonave të periudhës së hershme.

Ndërsa në dosjen e trafikimit të vitit 2013, hetimi dokumentoi shitje ikonash jashtë Shqipërisë. Sipas raportimeve të kohës, 8 ikona ishin shitur për rreth 50 mijë euro, ndërsa një prej tyre ishte shitur në Zvicër për 10 mijë euro.

Këto çmime tregojnë se objektet e trashëgimisë shqiptare kishin një treg konkret edhe përtej kufijve.

2,249 objekte të humbura në Shqipëri

Fenomeni  i vjedhjes së objekteve të kultit nuk kufizohet vetëm në juglindje

Sipas katalogut kombëtar për periudhën 1990–2016, në Shqipëri janë dokumentuar 2,249 objekte të trashëgimisë kulturore të humbura.

Shumë prej objekteve të humbura kanë qenë të inventarizuara dhe të dokumentuara me fotografi e të dhëna identifikuese. Kjo krijon mundësinë që ato të kërkohen edhe në tregun ndërkombëtar dhe në databazat e objekteve të vjedhura.


Zefiri.net

Lajme Te Ndryshme